Skip Navigation Links
Punëtoria Rajonale për Rregullimin e Tregut Hekurudhor

Punëtoria Rajonale për Rregullimin e Tregut Hekurudhor

30/09/2016

Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave të Republikës së Kosovës në bashkëpunim me TAIEX organizuan Punëtorinë Rajonale dy ditore për Rregullimin e Tregut Hekurudhor.

Prishtinë, 29, 30 Shtator 2016

Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave në bashkëpunim me TAIEX-in, ka organizuar Punëtorinë Rajonale dy ditore për Rregullimin e Tregut Hekurudhor, e cila është mbështetur nga Komisioni Evropian. Në këtë punëtori morën pjesë edhe përfaqësuesit e sektorit hekurudhor të vendeve të rajonit si: Shqipëria, Mali i Zi, Serbia, Turqia dhe Maqedonia.

Hapjen e kësaj Punëtorie e bëri Drejtori i Përgjithshëm i ARH-së Enis Berisha, i cili fillimisht falënderoi Komisionin Evropian për mbështetjen e realizimit të kësaj punëtorie përmes ekspertëve të TAIEX-it, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme që jep ndaj projekteve të ARH-së me rëndësi për sektorin hekurudhor. Drejtori Berisha po ashtu falënderoi të gjithë pjesëmarrësit nga vendet e rajonit të cilët i ishin përgjigjur pozitivisht ftesës për pjesëmarrje në këtë punëtori me rëndësi të veçantë për Rregullimin e Tregut Hekurudhor.

Punimet e kësaj Punëtorie Rajonale i vazhduan ekspertët e TAIEX-it Laurent Monjole, Drejtor për çështje evropiane dhe ndërkombëtare i Rregullatorit Hekurudhor Francez (ARAFER); Carl-Friedrich Keding, nga Agjencia Shtetërore e Hekurudhave në Gjermani (NASA GmbH); si dhe Karol Klosowski, Drejtor i Departamentit për të Drejtat e Udhëtarëve në Zyrën e Transportit Hekurudhor në Poloni (UTK), të cilët dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm përmes prezantimeve të tyre profesionale sa i përket Rregullimit të Tregut Hekurudhor. Prezantimet e tyre kryesisht ishin të fokusuara në harmonizimin dhe përafrimin e legjislacionit hekurudhor të vendeve pjesëmarrëse në këtë Punëtori, me Direktivat dhe legjislacionin hekurudhor të BE-së. Pastaj, gjatë prezantimeve të tyre një rëndësi e veçantë ju dha Të Drejtave të Udhëtarëve të Transportit Hekurudhor, pavarësisë institucionale të Rregullatorëve si dhe Kontratave për Shërbime Publike.

Prezantimet e këtyre ekspertëve ishin një mundësi e mirë për të gjithë pjesëmarrësit në këtë Punëtori, të cilët patën mundësinë të dëgjonin përvojat më të mira të menaxhimit dhe Rregullimit të Tregut Hekurudhorë, ku në ndërkohë kishin mundësinë edhe të bënin pyetje, komente dhe sugjerime rreth çështjeve të cilat ju interesonin.

Gjatë kësaj Punëtorie Rajonale u bënë prezantime sa i përket Rregullimit të Tregut Hekurudhor nga ARH dhe të gjitha vendet pjesëmarrëse në këtë punëtori.

 

Recommend: