Skip Navigation Links
Bordi Mbikëqyrës i Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave ka zhvilluar takim pune me Kryeministrin e Republikës së Kosovës Isa Mustafa

Bordi Mbikëqyrës i Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave ka zhvilluar takim pune me Kryeministrin e Republikës së Kosovës Isa Mustafa

12/01/2017

Në kuadër të detyrave dhe aktiviteteve të tyre, Bordi Mbikëqyrës i ARH-së i kryesuar nga Arsim Berisha, ka zhvilluar një takim me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Isa Mustafa.

Gjatë këtij takimi, Kryesuesi i Bordit Mbikëqyrës të ARH-së, Arsim Berisha fillimisht e njoftoi kryeministrin Mustafa lidhur me rolin dhe veprimtarinë e ARH-së në rregullimin dhe mbikëqyrjen e sektorit hekurudhor në Kosovë.

Duke pas parasysh situatën aktuale, pas paralajmërimeve të Serbisë për promovimin e linjës hekurudhore Beograd – Mitrovicë duke lëshuar në qarkullim trenin për transport të udhëtarëve, Bordi i ARH-së e ka njoftuar Kryeministrin Mustafa se ARH është duke përcjellë me kujdes dhe profesionalizëm këtë situatë duke vënë në dukje se një veprim i tillë nga organet e Serbisë për të lëshuar në qarkullim linjën hekurudhore Beograd – Mitrovicë është veprim ilegal dhe në kundërshtim me  Ligjin Nr. 04/L-063 për Hekurudhat e të Kosovës. Operimi i çfarëdo operatori që nuk ka përfillur procedurat ligjore të licencimit nga ARH, është i jashtëligjshëm dhe përbënë rrezikshmëri për sigurinë në vend. 

Bordi i ARH-së e siguroi kryeministrin Mustafa se ARH në kuadër të përgjegjësive ligjore e profesionale që ka do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme në koordinim edhe me Ministrinë e Infrastrukturës dhe me të gjitha institucionet tjera relevante në mënyrë që të pengohet realizimi i këtij skenari të paralajmëruar, i cili për qëllim ka provokimin dhe destabilizimin e situatës në veri të vendit duke lëshuar në qarkullim një tren ilegal i cili nuk ka përfillur procedurat e licencimit.

Në kuadër të kësaj, kryeministri Isa Mustafa ofroi mbështetjen e tij dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për Autoritetin Rregullativ të Hekurudhave, me qëllim të respektimit dhe zbatimit të ligjeve në fuqi që rregullojnë sektorin hekurudhor në Kosovë.

Gjatë këtij takimi, kryeministri Mustafa u interesua rreth investimeve të planifikuara në linjat ekzistuese hekurudhore si dhe në ndërtimin dhe funksionalizimin e linjave të reja për transport të mallrave dhe udhëtarëve.

Recommend: