Skip Navigation Links
AUTORITETI RREGULLATIV I HEKURUDHAVE KA FUTUR SOT NË SHËRBIM EDHE DHJETË VAGONË TË TRENIT PËR UDHËTARË

AUTORITETI RREGULLATIV I HEKURUDHAVE KA FUTUR SOT NË SHËRBIM EDHE DHJETË VAGONË TË TRENIT PËR UDHËTARË

09/06/2017

Prishtinë, 09 Qershor 2017

Në një ceremoni të organizuar sot, ARH ka lëshuar Autorizimet për futje në shërbim të dhjetë vagonëve të udhëtarëve, për ndërmarrjen hekurudhore Trainkos Sh. A.

Gjatë kësaj ceremonie të organizuar nga ARH u tha se këta hapa inkurajojnë rritjen e numrit të udhëtarëve që udhëtojnë me tren.

Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Autortietit Rregullativ të Hekurudhuave, Shkëlzen Qorri tha se ky është një proces shumë i rëndësishëm dhe do të ketë ndikim në rritjen e numrit të udhëtarëve.

“Është për t’u vlerësuar që në bazë të regjistrit tonë tani kemi një dyfishim të vagonëve me autorizime ku deri tani kanë qenë 9 vagonë të autorizuar dhe nga sot e tutje kemi 10 vagonë të rinj të autorizuar, gjithsej 19. Futja në shërbim e këtyre vagonëve të rinj shpresojmë dhe fuqishëm besojmë se do të jetë në shërbim të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që si formë transporti kanë zgjedhur transportin hekurudhor duke u kujdesur që komoditeti dhe siguria që ofrojnë këta vagonë do të jenë një vlerë promovuese edhe për vetë kompaninë hekurudhore Trainkos, me qëllim të rritjes së numrit të udhëtarëve në të ardhmen”, tha Qorri.

Ndërsa drejtori i operimeve në Trainkos, Shiqeri Spahiu tha se ndihet mirë me hapat që kjo ndërmarrje po merr për shërbimet për qytetarët.

“Jemi shumë të lumtur që erdhi dita më në fund që në ndërmarrjen tonë gjegjësisht në këtë vend të Kosovës të shtohen kapacitetet transportuese për qytetarët e Republikës sonë, të cilët natyrisht dita – ditës dhe kohëve të fundit janë duke shfrytëzuar dhe aplikuar transportin masiv gjegjësisht transportin hekurudhor. Kapacitetet e deritanishme tona kanë plotësuar deri diku kushtet mirëpo më futjen në funksion të vagonëve të rinj të cilët me performancën e tyre ekonomike të cilat si në kushtet verore ashtu edhe dimërore ofrojnë shërbime dhe kapacitete më të mira ne besojmë si Trainkos do ta rrisim numrin e udhëtarëve”, tha Spahiu.

Kryesuesi i departamentit të Sigurisë në ARH, Afrim Mehmetaj ka falënderuar kompaninë Trainkos me rregullat dhe aplikacionet që aplikojnë ku është arritur që brenda një kohe të shkurtër t’i kenë këta vagonë.

“Besoj që këto autorizime ndikojnë në rritjen e efektshmërisë në transportin e udhëtarëve që kanë të bëjnë direkt në transport të udhëtarëve dhe gjithsesi kjo ndikon në rritjen e numrit të udhëtarëve pasi që komoditeti në vagonët e blerë është shumë më i lartë në krahasim me ata që kanë qenë më herët dhe gjithsesi që kjo ndikon edhe në rritjen e numrit të udhëtarëve të cilët e shfrytëzojnë transportin hekurudhor”, tha Mehmetaj.

Shpërndarja e autorizimeve për vagonët e rinj është bërë nga kryesuesi i Bordit të ARH-së, Arsim Berisha.

Recommend: