Ka vazhduar agjenda e menaxhmentit të ARH-së, me turnin e vizitave në komunat nëpër të cilat kalon linja hekurudhore.
Drejtori i përgjithshëm i ARH-së, Shkelzen Qorri, i shoqëruar edhe nga bashkëpunëtorët, Afrim Mehmetaj, Drejtor i Departamentit të Sigurisë dhe Zyrafete Krasniqi, Drejtoreshë e Departamentit të Interoperabilitetit, kanë vizituar Komunën e Fushë Kosovës ku u pritën nga Kryetari, Burim Berisha me bashkëpunëtorë. Temë diskutimi ishte siguria në hekurudha, ku nga ana e ARH-së u potencua nevoja e rritjes së nivelit të sigurisë në hekurudha në përgjithësi si dhe asaj në komunën e Fushë Kosovës në veçanti. Kjo pasi që kjo komunë është në qendër të degëzimeve të të gjithë rrjetit hekurudhor në Republikën e Kosovës. Në të kaluarën e afërt ka pasur një numër jo të vogël të incidenteve hekurudhore dhe një aksident, të cilat kanë ndodhur në rrjetin hekurudhor që shtrihet në ketë komunë. Të dyja palët u pajtuan se duhet të rritet niveli i bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional si dhe të vazhdohet me intensitet dhe përgjegjësi puna në trajtimin e çështjeve me interes të përbashkët.