Skip Navigation Links

Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave

Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave(ARH) është themeluar në bazë të Ligjit Nr. 03/L-076 dhe ka filluar të funksionoj nga prilli i vitit 2010. Në mënyrë që të harmonizohet kuadri ligjor në Kosovë me ato të shteteve të tjera anëtare të Bashkimit Evropian, Parlamenti i Kosovës me datë 14.11.2011 ka miratuar Ligjin nr. 04/L-063 për Hekurudhat e Kosovës (ka hyrë në fuqi me 01.01.2012), ligj sipas të cilit vepron ARH. Ky Ligj zbatohet për funksionimin, mirëmbajtjen dhe shfrytëzimin e Hekurudhave të Kosovës dhe infrastrukturës së saj, si dhe për të gjitha operimet e trenave që shfrytëzojnë këtë infrastrukturë

 ARH -ja është organ i pavarur që rregullon dhe mbikëqyrë sektorin e hekurudhave në përputhje me legjislacionin në fuqi në Kosovë dhe me legjislacionin në fuqi të BE-së, të përshtatshëm për Kosovën në këtë sektor. Sipas Ligjit për Hekurudha, ARH-ja vepron si organ licencues, organ përgjegjës për sigurinë hekurudhore,organ përgjegjës për çështjet e interoperabilitetit dhe entiteteve të njoftimit, organ për rregullimin e tregut hekurudhor dhe kompetencave të tjera të cilat i jepen në bazë të ligjit të hekurudhave dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi të BE-së, të përshtatshëm për Republikën e Kosovës në këtë sektor.

 

Struktura e ARH-së, përfshinë: Menaxhmentin, Departamentet dhe personelin mbështetës. Çdo departament ka funksione të përcaktuara për t’iu përgjigjur nevojave të mobilitetit të shoqërisë, transportit dhe ekonomisë, siç rregullohen në këtë ligj dhe me aktet nënligjore të nevojshme që nxjerrin vete ato dhe menaxhmenti i ARH-së.

Veprimtaria e ARH-së mbikëqyret nga një Bordi Mbikëqyrës, i cili përbëhet nga pesë anëtarë. Bordi Mbikëqyrës është përgjegjës për mbikëqyrjen dhe shqyrtimin e aktiviteteve dhe vendimeve të ARH-së mbi çështjet administrative, ekzekutive, rregullatore dhe të licencimitsi dhe të gjitha aspekteve të menaxhimit financiar, të ardhurave dhe shpenzimeve të ARH-së.

 

Misioni

Misioni i ARH-së është rregullimi, mbikëqyrja dhe organizimi i sektorit hekurudhor në Republikën e Kosovës në këto fusha: Licencim, Siguri, Interoperabilitet dhe Rregullim të Tregut dhe kompetencave të tjera të cilat i jepen në bazë të këtij ligji.

 

Vizioni

Vizioni i ARH-së është që të ofrojë shërbime cilësore dhe të sigurta, transparente dhe jo-diskriminuese për Ndërmarrjet Hekurudhore dhe Menaxherin e Infrastrukturës në sektorin hekurudhor në Republikën e Kosovës.

ARH bashkëpunon me autoritetet hekurudhore homologe në rajon dhe më gjerë si me Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi, Kroacinë, Slloveninë, Turqinë, si dhe shkëmben përvojava te stafit me autoritetet e këtyre shteteve si dhe shteteve anëtare të IRG – Rail. Në kuadër të bashkëpunimit me autoritetet homologe, ARH ka nënshkruar edhe  Memorandume Bashkëpunimi.