Skip Navigation Links
Punëtoria Rajonale

Punëtoria Rajonale

30/11/2015

Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave të Republikës së Kosovës, me datat 08 dhe 09 dhjetor 2014 ka organizuar Punëtorinë Rajonale dy ditore për Rregullat nacionale të sigurisë në transportin hekurudhor, e cila është përkrahur nga Komisioni Evropian.

09/12/2014 - 23:53

Në vazhdën e aktiviteteve të veta, Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave të Republikës së Kosovës i mbështetur edhe nga Komisioni Evropian, gjatë këtyre dy ditëve (08 dhe 09 dhjetor 2014) ka organizuar një Punëtori për Rregullat nacionale të sigurisë në transportin hekurudhor. Pjesëmarrës në këtë punëtori ishin edhe përfaqësues të sektorit hekurudhor nga vendet e rajonit anëtare të IPA-s si: Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia dhe Bosnje Hercegovina si dhe përfaqësues nga Komisioni Evropian dhe Agjencioni Evropian i Hekurudhave ERA.

Fillimisht, hapjen e kësaj Punëtorie dy ditore me një fjalë përshëndetëse e bëri Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Rregullativ të hekurudhave z. Enis Berisha i cili fillimisht shfrytëzoi rastin t’i falënderoi përfaqësuesit nga Komisioni Evropian për përkrahjen e vazhdueshme që i jep sektorit hekurudhor në Kosovë e sidomos ARH-së në realizimin e projekteve të tilla me interes për këtë sektor, përfaqësuesit nga ERA si dhe përfaqësuesit e vendeve pjesëmarrëse në këtë punëtori nga Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia dhe Bosnje Hercegovina.

z. Berisha, gjatë fjalimit të tij foli për qëllimin dhe rëndësinë e kësaj punëtorie i cili tha se qëllimi i kësaj punëtorie është që të gjitha vendet e rajonit, si Shqipëria, Mali i Zi , Maqedonia, Serbia, Bosnje Hercegovina si dhe institucionet vendore të republikës së Kosovës (ARH, MI, IFRAKOS, TRAINKOS), duhet të ulen dhe të diskutojnë  së bashku për  të gjitha procedurat e përgatitjes së Rregulloreve të Sigurisë sipas Direktivës së Komisionit Evropian 2004/49 e cila duhet të jetë  në përputhje me ligjet nacionale të vendeve tona. “Rregullat nacionale të sigurisë janë një sfidë për të gjitha vendet tona, prandaj ideja dhe qëllimi i kësaj punëtorie ka qenë që të ulemi së bashku, t’i diskutojmë sfidat që i kemi përballë. Përgatitja e rregullave nacionale të sigurisë duhet të përfshijë të gjitha kërkesat e përgjithshme teknike, që duhet të plotësohen gjatë dizajnimit, ndërtimit dhe rindërtimit tërheqjes dhe mirëmbajtjes të pjesëve integrale të linjave hekurudhore në infrastrukturën hekurudhore, për të mundësuar një transport, sa më të sigurt hekurudhor”, tha ai.

Berisha po ashtu thotë se duhet të punohet për zëvendësimin e rregulloreve të ish-Jugosllavisë, të cilat janë përdorur deri më tani dhe për zëvendësimin e tyre me rregullore të reja, sipas direktivave të BE-së. Sipas tij, siguria në Hekurudha duhet të jetë më në nivel, për çka ata kanë dhënë rekomandimet e tyre, pasi që ende ka punë për tu bërë në këtë aspekt, siç është mbyllja e vendkalimeve ilegale dhe sinjalizimi. Mirëpo, për këto ai thotë se kompania arsyetohet se s’ka mjete financiare për t’i realizuar rekomandimet e Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave.

“Deri tani kompanitë kanë punuar sipas rregulloreve të ish-Jugosllavisë, rregulloreve të vjetra. Mirëpo, tani si Autoritet Rregullativ i Hekurudhave, kemi filluar me përgatitjen e rregulloreve të reja, ku ARH ka përfunduar rregulloren për sinjalizim hekurudhor. Duke marrë parasysh faktin se shpejtësia maksimale e lëvizjes së trenave në Hekurudhën e Kosovës është 70 km në orë mund të themi se Trenat që funksionojnë në hekurudhën tonë, me atë shpejtësi sa operojnë janë të sigurt, mirëpo ka vendkalime që janë pa sinjalizim dhe të cilat paraqesin rrezik. Mirëpo ne si autoritet rregullator, kemi bërë inspektimet e linjave si dhe kemi dhënë rekomandimet tona se si  duhet të përmirësohen këto vendkalime. Duhet të ndalen dhe të bëhet sinjalizimi sipas standardeve të BE-së”, ka pohuar ai.

Ndërsa përfaqësuesi nga Agjencia Evropiane Hekurudhore Kyriakos Doulis tha se po promovojnë legjislacionin dhe reformat, sipas standardeve të BE-së.

Ai theksoi se është në dijeni për problemet infrastrukturore me të cilat po përballen hekurudhat, si pasojë e problemeve historike, tradicionale dhe të rrjetit.
“Unë e di që hekurudhat kanë disa probleme infrastrukturore. Vërtet ka probleme në operimeve e përditshme, për shkak të problemeve historike, tradicionale dhe të rrjetit. Natyrisht do të jeni në gjendje të prezantoni projektet tuaja në BE, sa i përket investimeve, që është një fushë tjetër, me të cilën ne nuk merremi. Por, këtë do e bëni me agjencitë tuaja për përgatitjet e projekteve. Ne do të mbështesim kryesisht kornizën e punës rregullative dhe reformat, drejt legjislacionit të BE-së“, tha ai.

Në këtë punëtori kanë ligjëruar katër ekspert të Sigurisë hekurudhore nga Komisioni Evropian, dy prej të cilëve nga Agjencioni Evropian Hekurudhor ERA, një nga Autoriteti i Lituanisë dhe një nga Autoriteti i Finlandës.

Recommend: